Trending

Pse nuk e shohim Zotin? Nuk ekziston apo ka arsye te mos shfaqet?

“Nëse mban veten për kërkues të denjë të së vërtetës, atëherë ke për ta nisur të gjithë proçesin duke dyshuar, të paktën një herë në jetë, në gjithçka të mundshme” 

~ René Descartes

1. Hyrje

    Nëse Zoti ka arsye të mos na shfaqet dhe përse ne nuk e shohim janë dy pyetje rrënjësisht të ndryshme nga njëra-tjetra dhe kërkojne një trajtim në vetvete të pavarur. 

     Nëse do ndalemi tek pyetja e parë, na duhet disi, të mundohemi të lexojmë mendjen e tij, por kjo është praktikisht një ide qesharake dhe e pamundur. Megjithatë, duke analizuar çfarë na është shfaqur nga ai me kapacitetin tonë te kufizuar njerëzor, mund të arrijmë te kuptojmë nëse nëpërmjet ndonjë mesazhi ai i është përgjigjur kësaj pyetje. Pra, kjo pyetje do parë në këndvështrimin e një qënie hyjnore për të cilën, nuk e dimë me saktësi nëse ekziston. Siç thotë dhe Bertrand Russell, që nëse nje ditë do të gjendej përballë Zotit, do t’i thonte: “Nuk ka mjaftueshem prova, Zot! Nuk ka mjaftueshëm prova!” 

    Në rastin e dytë, sugjerohet që me intelektin tonë, sado të hijëzuar në krahasim me dijen hyjnore, të kuptojmë se çfarë na kufizon ne, si qënie njerëzore, qe te shohim qartazi, siç shohim njëri-tjetrin, këtë jo-krijesë, por krijues.

    Në këtë ese, do te nisim me pyetjen e parë, dhe do te kalojmë me anë te argumenteve tek e dyta. Do të trajtojmë çfarë thonë fetë monoteiste abrahamike për këtë, duke u ndalur specifikisht  tek ajo që në hebraizëm njihet si “hester panim”, fytyra e fshehur e Zotit, dhe duke vazhduar tek koncepti i iluzionit në hinduizëm, i cili ndan një lidhje ndoshta jo dhe aq të vakët me teorinë e relativitetit të Ajnshtajnit.

     Pa humbur kohë, le të fillojmë me pyetjen themelore: A ka Zoti arsye mos të na shfaqet?

2. Ndoshta, thjesht nuk ekziston.

   Le ta nisim argumentimin tonë me hipotezën se përgjigja për të dyja ato pyetje, është që thjesht ai nuk ekziston. Pavarësisht se besimi në hyjni e ka shoqëruar njerëzimin që në fillimet e tij të hershme, ateizmi gjithashtu nuk është një produkt i kohëve moderne.

   Jean-Paul Sartre sugjeron se mungesa e një autoriteti hyjnor e vendos njeriun në një gjendje “braktisjeje”, ku ai është i detyruar të krijojë vetë kuptimin e ekzistencës së tij.  Nuk mund ta mohojmë se kjo gjë praktikisht reflektohet, të paktën pjesërisht, në shoqërinë e sotme, ku edhe ata që besojnë në Zot, nuk arrijnë ta përkufizojnë qartë se çfarë do të thotë, por thjesht kanë trashëguar dijen e ekzistencës së një qënie të lartësishme. Kështu, në kuadrin e “udhëheqjes”, ata nuk ndryshojnë shumë nga ateistët apo agnostikët, dhe detyrohen, dashje apo pa dashje, të kërkojnë vetë kuptimin e gjithçkaje, pavarësisht nëse ka një krijues apo jo. Po përveç kësaj kategorie, janë dhe ata të cilët kërkojnë në menyrë të sinqertë të krijojnë një afërsi me Zotin dhe e gjejnë kuptimin e jetës së tyre te ai, përse nuk ka një përgjigje për ta?

   Pikërisht këtë pyetje e merr si pikënisje filozofi John L. Schellenberg, me argumentin e tij të njohur si “Divine Hiddenness”. Sipas tij, nëse ekziston një Zot dashamirës, atëhere nuk do të ekzistonte mosbesimi i arsyeshem. Silogjizmi i këtij argumenti është si më poshtë:

  1. Nëse ekziston një Zot plotësisht dashamirës, atëherë ekziston një Zot që është gjithmonë i hapur për një marrëdhënie personale me çdo person të fundëm.
  2. Nëse ekziston një Zot që është gjithmonë i hapur për një marrëdhënie personale me çdo person të fundëm, atëherë asnjë person i fundëm nuk është kurrë në mënyrë jo-rezistuese në një gjendje mosbesimi ndaj pohimit se Zoti ekziston.
  3. Nëse ekziston një Zot plotësisht dashamirës, atëherë asnjë person i fundëm nuk është kurrë në mënyrë jo-rezistuese në një gjendje mosbesimi ndaj pohimit se Zoti ekziston (nga 1 dhe 2).
  4. Disa persona të fundëm janë ose kanë qenë në mënyrë jo-rezistuese në një gjendje mosbesimi ndaj pohimit se Zoti ekziston. 
  5. Nuk ekziston një Zot plotësisht dashamirës (nga 3 dhe 4).
  6. Nëse nuk ekziston një Zot plotësisht dashamirës, atëherë Zoti nuk ekziston.
  7. Zoti nuk ekziston (nga 5 dhe 6). 

     Pra, me pak fjalë, përse Zoti nuk shfaq prova të mjaftueshme për ekzistencën e tij dhe për ata njerëz të cilët kërkojnë në mënyrë të sinqertë një marrëdhenie me të?

  Në pamje të parë nuk mund të debatosh me këtë argument, por pika 6 rrëzohet mbi një supozim të paargumentuar: që mungesa e një Zoti “plotësisht dashamirës” do të thotë mungesë e Zotit fare.  Ky është Zoti i filozofëve, jo domosdoshmërisht Zoti i Abrahamit, i cili, siç e di çdo lexues i Dhiatës së Vjetër, ka pak fjalë të përbashkëta me konceptin e dashamirësisë absolute. Schellenberg duket se ka lexuar më shumë Kant sesa Bibël.

3. “Fshehja Hyjnore”, Hester Panim dhe Tradita Abrahamike

“Dhe unë do ta fsheh patjetër fytyrën time atë ditë, për shkak të të gjitha të këqijave që kanë bërë, sepse janë kthyer te perëndi të tjera.”

~Ligji i Përtërirë 31:18

      Pyetjen që Schellenberg-u përdori si argument kundër ekzistencës së Zotit, pra përse Ai nuk shfaqet, tradita abrahamike e kishte shtruar mijëra vjet më parë, dhe sigurisht, ka të paktën një përgjigje. 

    Ne këtë moment, na duhet të pranojmë pa kundërshtim, ekzistencën e një qënie hyjnore të lartësishme, jo domosdoshmërisht të mbushur me mirësi, dhe të kthehemi te pyetja: Përse vendos të qëndrojë i fshehur? 

   Një përgjigje të vjetër për këtë e gjejmë në judaizëm, të njohur me termin “Hester Panim”. Nga hebraishtja, “hester” = e fshehur, e mbuluar dhe “panim“=fytyrë. Këtë e gjejmë në Ligjin e Përtërirë 31:18, “Ve’anokhi haster astir panai“. Zoti ishte i zemëruar për shkak se hebrenjtë u kthyen duke adhuruar perëndi të tjera, dhe u betua të fshehë fytyren. Këtu duket sikur ai zgjodhi t’a bëje këtë si një tekë të temperamentit të tij, por nuk është ky argumenti jonë.

    Fillimisht le të shpjegojmë ç’kuptojmë me “fytyrë e Zotit”?  Nëse do të kthehemi në zanafillën e njerëzimit, Eva dhe Adami kishin një marrëdhënie të afërt me Perëndinë, e cila nuk linte vend për diskutime, por asnjëri nga librat e këtyre feve nuk sugjeron apo aludon se kemi të bëjmë me një formë fizike të tij. 

  Megjithatë, format e komunikimit kanë qenë të ndryshme dhe për profetët e mëvonshëm: zëri, ëndrra dhe profecitë. Me anë të kësaj kuptojmë që nuk kemi të bëjmë me një ‘fytyrë’ siç mund të mendojmë për një qënie njerëzore, por nënkupton privimin nga prezenca e tij, aksesi, mundësia për një marrëdhënie të drejtpërdrejtë.

   Por dua të ndaloj pak dhe te fjala “mbulim”, e cila mund të ketë dy kuptime: 

  1. Mbulimi i fytyrës së Zotit që ai të mos na shohë ne dhe si rrjedhojë as ne atë
  2. Mbulimi i syve tanë që ne të mos e shohim atë

  Një shembull i pamohueshëm që mund të marrim nga historia është rasti i Holokaustit dhe popullsisë hebreje. Dua të përdor një fragment nga libri i një të mbijetuar, Rabbi Baruch Rabinowitz (1914 – 1997), Binat Nevonim, ku përshkruan këtë ngjarje historike nga këndvështrimi i tij:

“…Edhe pse e dinim që e gjitha kjo vinte nga Zoti…pavarësisht kësaj, në zemrat tona, nuk mund ta pranonim këtë. Mund të pranonim dekretin e Zotit, por nuk mund të bënim paqe me ndjesinë…që ai fshehu fytyrën e tij nga ne, dhe se ai nuk do ta dijë se çfarë po na ndodh; Sikur pasi na dorëzoi te armiqtë tanë, Ai na ktheu shpinën, pa parë se çfarë këta armiq po na bënin ne. Lutjet tona nuk u pranuan, dhe të gjitha të qarat tona nuk morën përgjigje. Këtë ndjesi të qenurit të dëbuar, thjesht nuk mund ta mposhtnim…U frikësuam deri në palcë kur lexuam në Torah, “Dhe atë ditë zemërimi im do të ndizet kundër tyre; unë do t’i braktis dhe do t’u fsheh fytyrën time, dhe do të përpihen. Shumë të këqija dhe fatkeqësi do t’u bien përsipër; dhe atë ditë ata do të thonë: “Këto të këqija na kanë zënë ndofta sepse Perëndia ynë nuk është në mes nesh?”…”

   Nga kjo kuptojmë se në traditën hebraike besohet se Zoti ka bërë një tërheqje të vullnetshme, ka zgjedhur të fshihet, dhe se i ka lënë në mëshirë të fatit.  Por a nuk është ky i njëjti Zot i cili ka projektuar universin dhe e di se çfarë ka ndodhur deri tani dhe se çfarë do ndodhë deri në fund të ekzistencës së tij? 

“O Zot, ti më ke kërkuar dhe më njeh. Ti di kur ulem dhe kur ngrihem; ti e kupton mendimin tim që larg. Ti shqyrton ecjen time dhe pushimin tim; ti je i familjarizuar me të gjitha rrugët e mia. Para se të jetë fjala në gjuhën time, ja, o Zot, ti e di tërësisht.” (Psalmi 139:1-4)

  Ky varg nga e njëjta traditë  tregon se Ai di çdo gjë para se të ndodhë. Atëhere si do të ishte e mundur që, dhe nëse kthen kokën nga ana tjetër të bëhet diçka jashtë kontrollit të tij?

  Autori gjeti një zgjidhje për këtë eksperiencë në fjalët e Talmund-it:

“Unë i vura fjalët e mia në gojën tënde dhe të mbulova me hijen e dorës sime për të vendosur qiejt dhe për të hedhur themelet e tokës, dhe për t’i thënë Sionit: “Ti je populli im”.” (Isaiah 51:16)

   Këtu na shfaqet mënyra e dytë e mbulimit, ajo të syve tanë. Nuk është ai që tërhiqet, jemi ne që nuk mund ta shohim. Po përse do ta bënte këtë?

    A mund të besosh në diçka të cilën nuk e sheh? Në të cilën çdo gjë mund të jetë provë ose rastësi? Ky është ai që do t’i referohesha si testi i besimit. Nëse prania e Zotit do të ishte e dukshme dhe e pamohueshme, njeriu nuk do të besonte, do të bindej. Dhe bindja nën presionin e provave nuk është virtyt, është llogaritje. Testi i besimit ekziston pikërisht sepse Zoti ka zgjedhur të mbulojë sytë tanë, jo për të na braktisur, por për të na lënë të lirë të zgjedhim kush jemi kur mendojmë se askush nuk po shikon, të drejtohemi tek Ai për falje apo do të endemi të humbur?

4. Iluzioni (Maya) ne hinduizem dhe ligjet e fizikes relacionale

“Tre gunat formojnë maya-n time hyjnore, 

Që është e vështirë të kapërcehet.

Por maya-n e kalon kush gjen strehë te unë

— Bhagavad Gita 7:14

   Në kuadër të argumentit të mbulimit të syve, dua të rikujtoj se në fillim të kësaj teze, folëm për faktin se tema sugjeron dy pyetje të ndryshme:

  1. Përse nuk e shohim Zotin?
  2. Përse nuk na shfaqet?

  Tani erdhi koha të trajtojmë pikën e parë. A kemi ndonjë shkak fizik që na ndalon? Ose ndoshta, si na i ka mbuluar sytë Zoti?

  Sipas traditës abrahamike, forma fizike e Zotit nuk mund të perceptohet dot nga kapaciteti njerëzor. 

“Vetëm ai është i pavdekshëm e banon në dritën që asnjeri nuk i afrohet dot. Atë nuk e ka parë asnjë njeri e as nuk mund ta shohë.“(1 Libri i Mbretërve 6:16)

“Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve.”(El Enam 103)

  Këto vargje, pavarësisht se nga dy ideologji krejtësisht të ndryshme, japin një ide goxha të ngjashme me njëra-tjetrën. Të dy thonë se njeriu e ka të pamundur ta shohë Zotin dhe se ai gjendet ndoshta në një vend tjetër ku mund të na shohë ne, por jo ne atë. Si është e mundur kjo?

   Teksa po kërkoja për një përgjigje, hasa disa vargje në raftin e librave, të cilat më dërguan në Indinë e lashtë dhe më sollën para syve një ide tjetër. Libri titullohet Bhagavad Gita, dhe është një shkrim sanskrit me rreth 700 vargje, i cili shërben si tekst themelor filozofik. Vendosur në një fushë beteje, një princ është i tejmbushur nga një dilemë morale dhe kërkon ndihmë nga udhëheqësi i tij hyjnor, Krishna, një perëndi nga të shumtat në hinduizëm.

   Vargjet do doja t’i merrja me rradhë dhe t’i shpjegoja një nga një.

12. “Gjendjet e qenies, sattva, rajas e tamas burojnë nga unë, por unë nuk jam në to.”

  Në hinduizëm, si dhe në disa vargje të mëparshme, këto 3 forca janë themelore të cilat përbëjnë të gjithë ekzistencën materiale. Çdo gjë në univers, përfshirë dhe natyrën njerëzore, përbëhet nga to në përmasa të ndryshme:

  1. Sattva => pastërti, qartësi, harmoni, dritë. Lidhet me urtësinë, balancën dhe vetëdijen shpirtërore. Një mendje që mund të perceptojë të vërtetën më qartësisht.
  2. Rajas => aktivitet, pasion, shqetësim, dëshirë. Lidhet me ambicien, egon dhe lëvizjen e vazhdueshme. Një mendje që gjithmonë ndjek diçka.
  3. Tamas => inerci, errësirë, injorancë, rëndesë.Lidhet me konfuzionin, përtacinë dhe iluzionin. Një mendje e mjegulluar dhe rezistente ndaj së vërtetës.

13. “Këto tre guna mashtrojnë botën. Nuk i lënë njerëzit që të më shohin, Mua që jam më lart se to dhe i përjetshëm.”

  Krishna në këtë varg po thotë që këto gjendje së bashku krijojnë një iluzion. Për shkak se njerëzit janë të krijuar dhe dominohen nga këto forca, jemi të burgosur brenda një realiteti i cili bazohet në dëshirë, trazim dhe injorancë. Nuk mund të shohim përtej tyre për të parë hyjnoren.

14. “Tre gunat formojnë Majan time hyjnore, që është e vështirë të kapërcehet. Por maya-n e kalon kush gjen strehë te unë.”

  Pra, këtu  paraqitet argumenti që nuk është hyjnorja që po fshihet nga ne, por ne jemi krijuar në një mënyrë të atillë që na bllokon perceptimin e saj. Gunat janë mekanizmat e maya-s, iluzionit, mënyra se si funksionon perdja ndarëse.

  Nuk po aludoj se njëra fe mund të ketë të drejtë apo jo në lidhje me jetën e përtejshme dhe çfarë ne nuk kuptojmë, por mendoj se, pavarësisht se drejtuar një perëndie pagane, koncepti i maya-s dhe këto vargje e paraqesin më qartë se çdo gjë tjetër që mund të kem hasur deri tani të njëjtin koncept që po thonin dhe vargjet e mësipërme nga Kurani dhe Bibla. 

  Detaji që më kapi vëmendjen më teper ishte numri 3, 3 guna të cilat nuk përshkruajnë vetëm gjëndje shpirtërore, por në vetvete strukturën e realitetit të perceptueshëm.  

   Nëse do të imagjinonim një rrjet koordinativ 2 dimensional në hapësirë, mund të shihet çdo gjë në të. Nëse këtij rrjeti do ti shtohej dhe një bosht tjetër për ta bërë 3 dimensional, krijesa e dimensionit të parë mund të kishte vetëm një pikë të përbashkët me boshtin e shtuar (dhe nëse ajo do të ishte pika 0). Pra nëse do të shtonim një bosht të katërt, ne si qënie 3 dimensionale do të kishim vetëm një pikë të përbashkët me të. Cila do të ishte kjo? Koha. Kjo ështe teoria e relativitetit e Ajnshtajnit.

  Nëse dikush do të ishte një qënie 4 dimensionale do të mund të shihte kohën jo vetëm në një pikë, por të shkuarën dhe të ardhmen dhe të tashmen njëkohësisht. 

   Nuk po them se Zoti është një qenie 4D në kuptimin fizik, por se modeli i dimensioneve na ndihmon të kuptojmë si mund të ekzistojë një realitet më i lartë që ne nuk mund ta perceptojmë drejtpërdrejt.

  Po përse nuk mund ta shohim Zotin vetëm në parametrat tonë? Ne përshkruam vetëm një dimension sipër nesh, kush e di brenda sa e sa të tjerëve të cilët nuk i mendojmë dot mund të jenë aty?

  Pra, të dyja traditat, ajo abrahamike dhe ajo hinduiste, dhe vetë fizika moderne, konvergojnë në të njëjtën ide: nuk është Zoti që mungon, jemi ne që nuk kemi kapacitetin ta perceptojmë.

5. Perfundime

   Nisa këtë ese duke kërkuar një përgjigje dhe e mbaroj duke kuptuar se ndoshta pyetja vetë është pjesë e përgjigjes. Hester Panim, Maya, dimensionet e Ajnshtajnit, tradita të ndryshme, kohë të ndryshme, të njëjtat kufinj të perceptimit njerëzor. Të gjitha konvergjojnë në të njëjtën ide: nuk është Zoti që mungon, jemi ne që nuk dimë ende si ta shohim. Schellenberg e quajti këtë mungesë prove. Por ndoshta pikërisht kjo është çeshtja, një Zot i dukshëm dhe i pamohueshëm nuk do të kërkonte asgjë prej nesh. Besimi i vërtetë nuk lind nga siguria, lind nga zgjedhja për të bërë hapin kur toka nën këmbë nuk shihet. Siç do të thoshte Kierkegaard, “Faith requires a leap”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
The Cute Nerd

FREE
VIEW